Site icon Telegrafi

Tre mekanikë i shkaktojnë katër milionë dollarë dëme flotës së “Air Force One” (Video)

Tre mekanikë të “Boeing”-ut shkaktuan 4 milionë dollarë dëme dhe mund të ishin përgjegjës për shpërthimin e një zjarri në ajër në bordin e njërit prej avionëve të flotës së “Air Force One”.

Hetimet federale tregojnë se sistemi i oksigjenit të njërit prej dy “VC-25”-ave të përdorura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara ishte ndotur në kohën kur avioni iu nënshtrua procesit të mirëmbajtjes në një kompleks të “Boeing”-ut në San Antonio të Teksasit.

Episodi i hetuar nga federalët ka ndodhur ndërmjet periudhës 1 dhe 10 prill të vitit të kaluar.

Mekanikët, sipas raportit, kanë përdorur vegla të papastra, pjesë montimi, përbërës dhe një rregullator të paverifikuar gjatë procedurës së paautorizuar të pastrimit, ndërsa kryenin verifikime për rrjedhje në sistemin e oksigjenit.

Zakonisht, veglat e përdorura në riparime të tilla duhen pastruar në një mënyrë të veçantë, e cila largon çdolloj mbetjeje që mund të reagojë në kontakt me oksigjenin. Nëse lihet i pakontrolluar siç duhet, një sistem i kontaminuar oksigjeni mund të rrisë rrezikun e një zjarri apo shpërthimi në bord, transmeton tch.

Fatmirësisht, nga gabimi i vitit që shkoi nuk pati të dëmtuar dhe kompania kontraktuese pagoi për dëmet. Kontrata aktuale e “Boeing”-ut me “Air Force One” mbërrin shifrën 170 milionë dollarë.

Exit mobile version