Telegrafi

Tre laboratorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore pa akreditim, palët kontestojnë rezultatet

Foto: Arkiv

Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili ka përsipër tre laboratorë bazë për të kryer analiza e autopsi të rasteve kur kërkohen nga institucione tjera ligjore, e ka një problem me akreditimin e tyre. Që të tria, mbeten ende pa akreditim, për çka drejtuesi i këtij instituti Ditor Haliti, ka thënë se me së afërti këtij procesi është laboratori i toksikologjisë, mirëpo shkaku i ngjarjeve të mostrave të rastit Dehari, ka bërë që procedura të zgjatet.

Shumë analiza të autopsive e raporte nxirren e përfundohen nga mjeko-ligjorët e IML-së.

Ky institucion vërteton vdekjet qofshin ato të dyshimta apo edhe nga aksidentet që ndodhin.

Mirëpo, kredibiliteti i Institutit të Mjekësisë Ligjore mund të kontestohet në momentin kur vendoset që analizat nga tre laboratorët, ai i toksikologjisë, histopatilogjisë dhe ai i autopsive mund të shkojnë në një institut tjetër ndërkombëtarë qoftë ai edhe nga rajoni.

Udhëheqësi i këtij institucioni, tregon arsyet për këtë.

“Nuk është që ato nuk njihen, ato njihen mirëpo nëse dikush mund t’i kontestoj ato edhe ka të drejtë, krejt kjo për shkak të mungesës së akreditimit”, ka thënë Ditor Haliti.

Haliti ka thënë se për akreditimin e këtyre tre laboratorëve IML duhet të plotësohen shumë kushte, duke shtuar se laboratori i toksikologjisë është afër akreditimit veçse ndikim në këtë proces ka pasur rasti i mostrave të zhdukura të Astrit Deharit.

“Laboratori i toksikologjisë i cili është në procedurë të akreditimit kogja larg dhe i gjithë dokumentacioni është gati, mirëpo ngjarja e fundit ka ndikuar që kjo të stopohet mirëpo shumë shpejt kjo do të vazhdoj dhe presim që i pari të akreditohet është laboratori i toksikologjisë”, ka shtuar Haliti.

RTV Dukagjini ka raportuar më parë edhe për probleme të tjera në IML të cilat ndërlidhen kryesisht me punën e mjeko-ligjorëve të cilat janë vonuar në mbyllje të raporteve të autopsive e të tjerë që kanë refuzuar të punojnë mbi përshkrimet e punës që kanë.