Site icon Telegrafi

Tre infermiere japin dorëheqje nga Klinika për Sëmundje Infektive, Filipçe tenton t’i bind të qëndrojnë

Kryeinfermierja dhe dy kolege të saj dhanë dorëheqjen nga Klinika për Sëmundje Infektive. Dokumentet u publikuan gjithashtu në rrjetet sociale, ndërsa në kërkesën e saj të paraqitur në 21 shtator, kryeinfermierja thekson se një nga arsyet është degradimi i profesionit.

“Kërkoj që të pranoni largimin tim nga puna, me një njoftim paraprak prej një muaji, në të cilën periudhë do të përdor pushimin vjetor nga 2019 dhe 2020. Arsyet e largimit nga klinika pas 28 vitesh punë profesionale janë të shumta, por unë do të rendisja vetëm një: mosrespektimin dhe degradimin e profilit të infermierit, si një nga hallkat më të rëndësishme në ekipin mjekësor”, thotë kryeinfermierja në kërkesën e saj drejtuar drejtuesve të Klinikës për Sëmundje Infektive.

Përveç saj, dy infermierë të tjerë u larguan nga puna, njëra nga Departamenti i Sëmundjeve Infektive Emergjente, ndërsa tjetra nga Departamenti i Neuroinfektimit.

Për largimin e tyre ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se sot në mëngjes ka realizuar takim me infermieret dhe kanë biseduar për mundësinë që ato të vazhdojnë të qëndrojnë në klinikë.


“Ata gjatë shtatë muajve të kaluar janë në vijë të parë në luftën me pandeminë. Për përkushtimin e tyre dhe punën e palodhshme, ju kam shprehur falënderim. Këtë mëngjes i ftova në takim dhe biseduam që të qëndrojnë në Klinikë, ku puna e tyre çmohet pa masë. Jemi marrë vesh që pas pushimit të merituar që e kanë marrë të gjejmë mënyrë që të vazhdojmë së bashku me luftën ndaj COVID-19 në Klinikën Infektive”, ka shkruar Filipçe.

Pas njoftimit për largimin e tyre, ka pasur akuza të shumta ndaj sistemit shëndetësor në vend./Telegrafi/

Exit mobile version