Kina ua ka revokuar mundësinë tre gazetarëve amerikanë që punojnë në The New York Times, Wall Street Journal dhe Washington Post në një akt hakmarrjeje pasi presidenti amerikan Donald Trump e quajti coronavirusin ‘virusin kinez’.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, gazetarët nuk janë emëruar publikisht, por sipas The Associated Press, atyre nuk u lejohet të punojnë në Kinë, Hong Kong ose Macao.
Reagimi i Kinës vjen pasi presidenti Trump shkruajti në Twitter të hënën: ‘Shtetet e Bashkuara do të mbështesin me forcë ato industri, si linjat ajrore dhe të tjerët, që preken veçanërisht nga Virusi Kinez. Ne do të jemi më të fortë se kurrë më parë!’
Si rezultat, të martën Pekini kërkoi që ‘pala amerikane të korrigjojë gabimin menjëherë dhe të ndalojë akuzat e saj të pabaza’.
Geng Shuang, një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze, kishte thënë se tweet-i i Trump është “stigmatizimi i Kinës”.
“Ne i bëjmë thirrje SHBA-së të korrigjojë gabimin e saj dhe të ndalojë akuzat e saj të pabaza ndaj Kinës”, kishte theksuar ai.
Ndërkohë Agjencia zyrtare e lajmeve në Kinë, Xinhua, tha se gjuha e zotit Trump ishte “raciste dhe ksenofobike” dhe zbuloi “papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e politikanëve”, duke rrezikuar në rritje frikën ndaj virusit.
Po sipas BBC, kritika kanë ardhur edhe nga brenda SHBA-së, me kryetarin e bashkisë së New York-ut, Bill de Blasio, duke thënë se fraza rrezikonte “të nxiste më shumë fanatizëm” kundër aziatiko-amerikanëve.
Deklaratat e Trump vijnë një ditë pasi Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i bëri thirrje Kinës të ndalojë përhapjen e teorive të komplotit se virusi ishte krijimi i ushtrisë amerikane. /Telegrafi/