Telegrafi

Tre filxhanë kafe në ditë e mbrojnë mëlçinë

Shkencëtarët amerikanë kanë konstatuar se pirja e më shumë se një filxhani kafe në ditë e pengon rritjen e vlerës së enzimeve të mëlçisë, duke e parandaluar në të njëjtën kohë edhe mundësinë e zhvillimit potencial të qelizave të kancerit.

Me hulumtimin e kryer në mes të viteve 1999 dhe 2010 janë mbuluar 27.793 njerëz, duke përfshirë 14.000 konsumues të kafesë, nga të cilët dy mijë kishin pirë kafe pa kafeinë. Janë matur vlerat e katër enzimeve të mëlçisë përqendrimi i lartë i të cilave në gjak tregon sëmundje të mëlçisë – aspartati i aminotransferazës (AST), alanini i aminotransferazës (ALT), gama glutamil trasaminazat (GGT) dhe fosfatazat alkaline (DPM).

Rezultatet treguan se personat që kishin konsumuar tre ose më shumë filxhanë kafe në ditë ishin 25 për qind më pak të prirë të zhvillojnë enzima të rritura të mëlçisë në krahasim me ata që nuk kishin konsumuar kafe. Është interesante se edhe personat që kishin pirë kafe pa kafeinë kishin nivele të ulëta të këtyre enzimeve të mëlçisë, kështu që del se përbërësi i vetëm që ndikon në "shëndetin" e mëlçisë në fakt është në kafe, jo në kafeinë.

Përbërësi kimik përgjegjës për këtë nuk është ende i njohur dhe për këtë hulumtuesit kanë ndërmend të kryejnë kërkime të mëtejshme për ta zbuluar se çfarë qëndron prapa këtij rezultati interesant.

"Në kafe gjenden rreth një mijë përbërës të ndryshëm. Mund të them se ne "dyshojmë" në disa prej tyre, por tani për tani nuk mund të themi me saktësi se cilët janë," shpjegoi udhëheqësi i studimit Qian Xiao. I pyetur nëse ata që nuk pinë kafe duhet të fillojnë ta bëjnë këtë në mënyrë që ta mbrojnë mëlçinë, Xiao u përgjigj se nuk ishte në gjendje të rekomandonte diçka, por mund të thotë me siguri se kafeja nuk është e dëmshme për këtë organ.