Elon Pireva
Zgjedhjet e 3 Nëntorit në veri të Kosovës, të cilat patën një fillim të mirë, përfunduan pjesërisht si të dështuara. Të gjithë pesimist për organizimin e zgjedhjeve të lira në këtë pjesë të territorit, u bashkuan rreth një parashikimi që deri diku korrespondoi me gjendjen e krijuar. Por, as ata nga tabori i optimistëve nuk ishin aq naiv; sa të mos e kuptonin se mund të ndodhte e kundërta e asaj që vërtetë ndodhi.
Në rrafshin e mendimit kritik dhe analitik, i shpërfaqur pas përfundimit të zgjedhjeve – edhe pse pati përpjekje për t’i kapur shkaqet e këtij dështimi, qoftë edhe në variantin jo të plotë të këtyre zgjedhjeve – mungoi një analizë më të stërholluar për ta parë gjendjen nga këndvështrimi politik dhe institucionalist.
Sidoqoftë, ishte kjo një përpjekje e tre faktorëve politikë për ta futur këtë pjesë të Kosovës në rrjedhat e funksionimit institucional, por me qasje të dallueshme:
Për faktorin politik në Kosovë, ka ekzistuar pak a shumë një vullnet më i unifikuar politik që komuniteti serb nëpërmes procesit zgjedhor të integrohet në institucionet lokale. Në këtë pikë është bashkuar edhe BE, që ka qenë e vendosur – më shumë e bindur, se çdo kush tjetër – se po arrihet kapërcimi i barrierave politike që komuniteti serb më në fund po merr guximin dhe përgjegjësitë për t’u shkëputur nga një periudhë pararendëse jostabiliteti politik, dhune dhe anarkie institucionale.
Faktori i tretë politik, kyç për inkurajimin e qytetarëve serbë për t’u përshirë në procesin zgjedhor – proces ky i cili formalisht dhe administrativisht u zhvesh nga etiketat e shtetit të Kosovës – ishte faktori politik në Serbi që nuk kishte arritur ta ketë një konsensus të plotë për ta mbështetur një pjesëmarrje brenda një “kornize juridike” , specifike krahasuar me organizimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.
Në këtë proces përgatitor zgjedhor, faktori politik në Serbi mbahet përgjegjës me artikulimin e qëndrimeve jo të qarta: në njërën anë i është bërë thirrje komunitetit serb për pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa mes këtyre mesazheve politike nuk kanë munguar edhe tonet e njohura nacionaliste serbe për Kosovën që dolën jashtë atyre marrëveshjeve politike të arritura në Bruksel.
Në këtë kontekst duhet parë sa ishte efektshmëria e qëndrimeve të tilla politike për deformimin e procesit zgjedhor.
Përkeqësimi i situatës pas disa orëve të zhvillimit të procesit zgjedhor, ka krijuar hapësirë keqkuptimi dhe vlerësimi se: a duhet të njihen rezultatet e krijuara gjatë ekzistimit të kushteve për votim të lirë; sa votues pas ndryshimit të kësaj situate u privuan për ta ushtruar të drejtën e tyre; s duhet nga ky rezultat i krijuar me përqindjen jo të plotë të pjesëmarrjes së votuesve të krijohen mundësitë për grupet politike, që të bëhen pjesë e ndërtimit të institucioneve lokale?
Nga këto pyetje si më lartë, mund të nxirren përfundime të tjera që apriori mund të na qojnë në krijimin e një forme të gjykimit politik, se brenda grupeve politike serbe – duke nënkuptuar edhe të atillë që ishin kundër një procesi zgjedhor tani – nesër të hapen dilema për ta kontestuar legalitetin e institucioneve që u ndërtuan pa ua dhënë mundësinë të gjithë votueseve në ushtrimin e të drejtës për të votuar. Apo, KQZ, pasi të ketë vlerësuar gjendjen në plotëni , të marrë qëndrime mbi bazën e ligjit se si të veprohet më tutje!?