Site icon Telegrafi

Tri doza të vaksinës nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar variantin Omicron, paralajmëron shefi i BioNTech

Vaksinat kundër COVID-19 nuk do të jenë të mjaftueshme për t’i bërë ballë variantit Omicron, paralajmëroi shefi ekzekutiv i BioNTech, Ugur Sahin, kompania gjermane që qëndron pas vaksinës mRNA të prodhuar nga Pfizer.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe njerëzit e vaksinuar trefish ka gjasa të transmetojnë sëmundjen… Është e qartë se jemi larg nga efektiviteti 95 për qind që kemi marrë kundër virusit fillestar”, tha Sahin.

Pavarësisht kësaj, Sahin tha se të dhënat e hershme nga Britania dhe Afrika e Jugut po na ofrojnë “informacione qetësuese”, raporton EuroNews, përcjell Telegrafi.

Hulumtimi i fundit nga Afrika e Jugut, ku u raportua për herë të parë Omicroni, sugjeroi se dy doza të vaksinës Pfizer-BioNTech ofruan 70 për qind efektivitet në reduktimin e rrezikut të shtrimit në spital.

“Do të ketë një humbje të efektivitetit kundër Omicronit me kalimin e kohës, ka shumë gjasa, por ende duhet të matet se sa shpejt mund të ndodhë. Nuk do t’i bazoj parashikimet në të dhënat paraprake laboratorike, por në të dhënat reale, gjë që është shumë më e përshtatshme”, tha imunologu gjerman.

Sahin tha se testimi për COVID-19 është i rëndësishëm, veçanërisht për të moshuarit dhe gjatë stinës së dimrit, siç janë masat e tjera mbrojtëse si vendosja e maskave, duke shtuar, “përndryshe nuk do të jemi në gjendje të kontrollojmë zgjerimin e shpejtë të këtij varianti të ri”.

Kompania gjermane tashmë është duke projektuar një vaksinës kundër coronavirusit të përshtatur me variantin e ri, duke përdorur proteinën ‘spike’ të Omicronit dhe 32 mutacionet e saj si një antigjen. Sahin njoftoi se kjo mund të jetë gati deri në muajin mars. /Telegrafi/

Exit mobile version