Telegrafi

Tre dëshmitarë okularë të vrasjeve në Restorantin “Shega”, Policia nuk po arrin t’i sjellë në gjykatë

Mos prania e dëshmitarëve okularë dhe kërkesat për posedimin e dokumentacioneve, po zvarritin gjykimin për vrasjen në restorantin “Shega”.

Tre dëshmitarët okularë, Adem Dautaj, Abedin Sahiti dhe Musa Ferati, po kërkohen me ngulm që të vijnë në gjyq për të dhënë dëshminë për natën kritike kur ndodhën dy vrasje në restorantin “Shega”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, ndonëse Policia e Kosovës ka urdhëresë për sjelljen e tyre, nuk ka mundur të verifikojnë lokacionin e të njëjtëve.

Bëhet e ditur se Musa Ferati, që në atë kohë ishte punëtor në restorantin “Shega”, gjendet në Suedi, derisa dy dëshmitarët tjerë – Sahiti e Dautaj – gjenden në Shqipëri.

Praninë e këtyre dëshmitarëve e quajti të nevojshme në çdo aspekt edhe avokati i Besart Istrefit, Haxhi Millaku, i cili tha se dëshmia e tyre do të japë fakte dhe prova të natyrës vendimtare.

Pas këshillimit, trupi gjykues merr vendim që të provohet edhe njëherë përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, i cili është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, të sigurohen këta dy dëshmitarë, si dhe për dëshmitarin e tretë, Musa Feratin, fillimisht të vërtetohet adresa e saktë në Suedi.

Në restorantin “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, më 2 maj 2014, pas një mosmarrëveshje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë tash të akuzuarit Besim e Besart Istrefi – pronari i këtij lokali dhe djali i tij.

Sipas aktakuzës, pasi kamerierët kishin filluar përgatitjet për mbylljen e restorantit, i akuzuari Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla, ka filluar me kërcënime e tone të larta ndaj kamerierëve. Aktakuza thotë se më pas kishte filluar konflikti në mes tyre dhe pronarëve Besim e Besart Istrefi nga i cili ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosja. /kallxo.com/