Site icon Telegrafi

Tre çekë kapen me drogë në doganën e Tushemishtit, dy gjeorgjianë këmbejnë euro false në Bilisht

Foto: Ilustrim

Pesë shtetas të huaj janë protagonistë të dy ngjarjeve në juglindje të Shqipërisë.

Policia në Pogradec bën me dije se tre shtetas çekë janë ndaluar nga agjentët kufitarë në doganën e Tushemishtit, pasi në automjetin e tyre është gjetur drogë, fara kanabisi dhe një thikë.

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit çek J. K., 38 vjeç, C. G., 39 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, të tre banues në Çeki, pasi në PKK Tushemisht, në dalje, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në çantat e këtyre shtetasve janë gjetur 1 mjet prerës (thikë), 10.1 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 251 gramë fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me celularët dhe pasaportat e tyre”, njoftojnë autoritetet.

Sakaq nga stacioni i policisë së Bilishtit janë shpallur në kërkim dy shtetas gjeorgjianë pasi në një pikë exchange kanë shkëmbyer euro të falsifikuara me një shumë lekësh.

“Sektori i Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare shpalli në kërkim shtetasit L. G., 46 vjeç, dhe M. K., 72 vjeç, banues në Gjeorgji, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i monedhave”, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, në një dyqan exchange, në Bilisht, kanë këmbyer një shumë lekësh me kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara”, sqaron policia. /Telegrafi/

Exit mobile version