Telegrafi

Trazohet deti në Filipine, përmbyset cisterna me 1.4 milion litra naftë

Një cisternë detare që transportonte naftë është përmbysur në det të trazuar pranë Filipineve, duke shkaktuar derdhje të mëdha nafte ndërsa rojet bregdetare po kërkojnë për një anëtar ekuipazhi të zhdukur.

Sekretari i Transportit, Jaime Bautista, ka njoftuar se 16 nga 17 anëtarët e ekuipazhit të MT Terra Nova janë shpëtuar, pasi anija u përmbys pranë qytetit bregdetar të Limay në provincën Bataan. Ndërkohë, po punohet për gjetjen e anëtarit të zhdukur.

“Tashmë ka derdhje nafte. Tani për tani, ne nuk mund t’i dërgojmë burimet tona për shkak të erërave të forta dhe valëve të larta”, tha Bautista në një konferencë.

Bëhet e ditur se anija mbante 1,4 milion litra naftë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Bazuar në rrëfimet e ekuipazhit të shpëtuar, ata hasën në det të trazuar përpara se anija të përmbysej.

Zëdhënësi i rojes bregdetare të Filipineve, Armando Balilo, tha në një konferencë të veçantë se një anije është vendosur për të kërkuar anëtarin e zhdukur dhe për të luftuar derdhjen e naftës.

“Ne po garojmë me kohën. Ne do të bëjmë çmos për të mbajtur karburantin”, tha Balilo.

Ai shtoi se ujërat ku është përmbysur anija janë afër Manilës dhe ka “rrezik të madh” që nafta të arrijë deri në kryeqytet.

“Ky është skenari për të cilin ne po përgatitemi”, tha Balilo.

Siç raportohet, presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka urdhëruar Ministrinë e Mjedisit të vlerësojë dëmin e shkaktuar në ujëra.

Një hetim është duke u zhvilluar nëse fundosja lidhet me tajfunin Gaemi, i cili së fundmi përmbyti pjesë të kryeqytetit Manila dhe qytetet përreth.

Të paktën 14 persona kanë vdekur nga shirat e tajfunit sipas të dhënave të qeverisë, dhe zyrtarët thonë se numri mund të rritet. /Telegrafi/