Telegrafi

Trazirat shpërthyen në Paris pasi partia e djathtë ekstreme e Marine Le Pen pësoi “disfatë shokuese”

Festimet u shndërruan në përleshje me policinë në të gjithë Parisin pasi përpjekjet e Marine Le Pen për të sjellë në pushtet të djathtën ekstreme u bllokuan në zgjedhjet franceze.

Fronti i Ri Popullor i Majtë (NFP) doli si forca dominuese në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, duke mundur partinë Tubimi Kombëtar (RN), e cila ishte në rrugën e duhur për t’u bërë qeveria e parë e ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kështu, në të gjithë Francën pati skena feste teksa votuesit dolën në rrugë pasi u shpallën exit poll-et të dielën.

Disa mijëra njerëz u mblodhën në Place de la Republique, në Paris. Pati duartrokitje, makinat u binin borive dhe u valëvitën flamujt francezë.

Mbështetësit e partisë së majtë, në mazhorancë, mirëpritën me zë të lartë rezultatet parlamentare. Por shumë shpejt festimet u kthyen në trazira në kryeqytet.

Pamjet treguan fishekzjarre duke u hedhur ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës dhe sheshi papritmas u mbush me njerëz, me njerëz që vraponin në të gjitha drejtimet për t’i shpëtuar gazit.

Është e paqartë nëse përleshjet u nisën nga mbështetësit e Le Pen apo votuesit e majtë, por çfarë dihet është se të paktën 30,000 policë ishin vendosur për të parandaluar dhunën në të gjithë vendin. /Telegrafi/