Policia e Irlandës Veriore u përball me një breshëri “bomba benzine” dhe gurësh të enjten, tha një gazetar i AFP, ndërsa dhuna u ndez përsëri në Belfast, pavarësisht lutjeve për qetësi.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia e trazirave në anën republikane të qytetit të ndarë u sulmua me predha ndërsa u përpoqën të parandalonin një turmë që lëvizte drejt unionistëve pro-Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologu i tij irlandez Micheal Martin kishin kërkuar më parë për “qetësi” pas ditëve të dhunës që përfshinte një sulm me “bombë benzine” në një autobus në lëvizje.
Martin dhe Johnson patën disa biseda telefonike në të cilat theksuan se “dhuna është e papranueshme” dhe “bënë thirrje për qetësi”, tha zyra e udhëheqësit irlandez.
Por thirrjet e tyre nuk u morën parasysh kur ra nata në Belfast, me trazira që shpërthyen në anën republikane të kryeqytetit.
Trazirat gjatë ditëve të fundit – trazirat më të këqija të qytetit në vitet e fundit – kishin ardhur kryesisht nga komuniteti i tij unionist, duke çuar në dënim të përbashkët nga udhëheqësit politikë në provincën britanike.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë gjithashtu shprehu shqetësim mbi dhunën dhe kërkoi qetësi. /Telegrafi/