Policia në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, ka hedhur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit jashtë Kongresit, përpara se ligjvënësit të jepnin miratimin fillestar për reformat e shkurtimit të buxhetit në Senatin e vendit.
Protetuesit të cilët thonë se masat do të dëmtojnë miliona argjentinas, kanë hedhur benzinë dhe gurë, duke djegur një veturë.
Ndërkohë, një numër njerëzish u raportuan të plagosur, me mediat lokale që e përshkruan skenën si një “fushë beteje”.
Bëhet e ditur se paketa e reformës, e propozuar nga presidenti i krahut të djathtë, Javier Milei, për të ringjallur ekonominë, përfshin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ekonomike, uljen e pensioneve dhe zvogëlimin e të drejtave të punës.
Por, masat po kundërshtohen nga partitë politike të majta, sindikatat dhe organizatat, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Projektligji me 328 artikuj tani do të shqyrtohet pikë për pikë përpara se të pritet miratimi i plotë i tij.
DAVANTI AL CONGRESSO
Tensione ai massimi a Buenos Aires, dove i manifestanti si sono radunati davanti al Congresso, dove si discutono le riforme promosse dal presidente Javier Milei. Danneggiate auto e segnalati tafferugli e scontri con la polizia. pic.twitter.com/8GpBjDGTi6— Bar-Z-8 (@BarZ8369666) June 13, 2024
Më pas do të kthehet në dhomën e ulët për të kaluar votimin final.
E përleshjet shpërthyen kur protestuesit u përpoqën të shkonin drejt Kongresit, me disa prej tyre që hidhnin gurë mbi policinë.
Të paktën pesë deputetë të opozitës dhe 20 oficerë policie u shtruan në spital, ka noftuar ligjvënësja Cecilia Moreau. Gjithashtu, janë arrestuar 15 të tjerë.
“Ne nuk mund të besojmë se në Argjentinë ne po diskutojmë një ligj që do të na kthejë 100 vjet mbrapa”, tha Fabio Nunez, avokat 55-vjeçar.
Ndryshe, zyra e presidentit argjentinas, Javier Milei, lëshoi një deklaratë duke falënderuar forcat e sigurisë për shtypjen e atyre që i përshkroi si “terroristë”.
“Ne do të ndryshojmë Argjentinën, do ta bëjmë atë vendin më liberal në botë”, tha Milei në një konferencë në Buenos Aires.
Milei erdhi në detyrë në vitin 2023. Që atëherë ai e ka përgjysmuar kabinetin, ka shkurtuar 50 mijë vende pune publike, ka pezulluar kontratat e reja të punëve publike dhe ka hequr subvencionet për derivate dhe transport. /Telegrafi/