Të paktën 15 të burgosur vdiqën të hënën në trazirat e fundit brenda sistemit të burgjeve të Ekuadorit, njoftuan zyrtarët në vendin e Amerikës së Jugut.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, agjencia që menaxhon burgjet e Ekuadorit, SNAI, dha numrin e të vdekurve në një deklaratë duke shtuar se gjithashtu 21 persona u plagosën në përleshjet midis të burgosurve.
Ajo kishte njoftuar më herët se njësitë taktike kryen operacione për të rifituar kontrollin e objektit, i vendosur në qytetin ekuadoras Latacunga.
Burgu strehon rreth 4300 të burgosur dhe është një nga më të mëdhenjtë në vend.
Dhuna në burgjet e Ekuadorit, ku bandat e drogës konkurrojnë për pushtet, shpesh kryhet me thika dhe ndonjëherë përfshin prerje koke.
Dhuna ka lënë më shumë se 400 të burgosur të vdekur që nga shkurti i vitit 2021.
Dhe të hënën, të burgosurit u ngjitën në çati ndërsa u dëgjuan shpërthime, sipas pamjeve të lajmeve televizive.
Jorge Flores, zëvendësdrejtori i SNAI, u tha gazetarëve se Leandro Norero duket se ishte “midis viktimave”.
Norero, i dyshuar për lidhje me trafikun e drogës, u bë një nga drejtuesit e të burgosurve.
I njohur me pseudonimin “El Patron”, ai u arrestua majin e kaluar për akuza për pastrim parash, në një operacion ku dyshohet se u sekuestruan 6.4 milionë dollarë, 24 shufra ari, armë zjarri dhe municione.
Sipas vlerësimeve zyrtare, burgjet e mbipopulluara të vendit përmbajnë rreth 35,000 të burgosur, shumë prej tyre anëtarë të bandave të lidhura me trafikun e drogës. /Telegrafi/