Tre anëtarë të forcave të sigurisë kanë vdekur në përplasjet në shtetin Sinaloa pas arrestimit të djalit të mbretit famëkeq meksikan të drogës “El Chapo”.
Ovidio Guzman-Lopez – vetë supozohet se ishte një udhëheqës i ish-kartelit të babait të tij – u kap në Culiacan dhe u transferua në Mexico City, transmeton Telegrafi.
Me këtë rast, anëtarët e zemëruar të bandës ngritën blloqe rrugësh, iu vunë flakën automjeteve dhe sulmuan një aeroport lokal.
Dy aeroplanë u goditën me armë zjarri – njëri derisa përgatitej të ngrihej për fluturim.
Më shumë se 100 fluturime u anuluan në tre aeroporte të Sinaloas.
Guvernatori i shtetit tha më herët se 18 persona ishin pranuar në spital.
Guzman-Lopez, që njihet me nofkën “Miu” – akuzohet se ka udhëhequr një fraksion të kartelit famëkeq Sinaloa të babait të tij, tha Ministri i Mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval. Është një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë.
Operacioni i mbikqyrjes gjashtëmujore për kapjen e Guzman-Lopez pati mbështetjen e zyrtarëve amerikanë, shtoi ministri i Mbrojtjes, Sandoval.
Videot në mediat sociale tregojnë autobusë që digjen që bllokojnë rrugët në Culiacan.
Trupi i një avioni të planifikuar për të fluturuar nga Culiacan në Mexico City u godit me armë zjarri të enjten në mëngjes ndërsa po përgatitej për ngritje, tha linja ajrore meksikane Aeromexico. /Telegrafi/