Telegrafi

Trazira në Afrikën e Jugut e ushtria del në rrugë, humb jetën një foshnje nga plumbi qorr – plaçkitje masive e kaos nëpër spitale

Republika e Afrikës së Jugut e ka shpërndarë sot ushtrinë nëpër rrugë, për të ndalur protestat masive që kanë shpërthyer pas arrestimit të ish-presidentit Jacob Zuma.

Pas trazirave sporadike disa ditore ku humbën jetën të paktën shtatë persona, policia jugafrikane ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë ku ka konfirmuar se janë arrestuar 219 persona, transmeton Telegrafi.

Siç raporton Reuters, në mesin e viktimave është edhe një foshnje gjashtëmuajshe, që u godit në kokë nga një plumb qorr. Në klinika siç raportojnë mediat lokale, mbretëron një situatë kaotike pasi që demonstruesit vazhdimisht po tentojnë të futen në hapësirat ku gjenden të lënduarit.

Tymi i zi nga ndërtesat e kapluara nga zjarri janë ngritur në qiell, derisa dyqanet kanë mbetur të zbrazëta si pasojë e plaçkitjeve masive në rrugën Pietermaricburg në vendlindjen e Zumas, por këto incidente tani janë zgjeruar deri në Johanesburg.

Trazirat kanë filluar javën e kaluar pas arrestimit të Zumas i cili është dënuar me 15 muaj burgim, pasi refuzoi urdhrin e gjykatës të ofroj fakte për hetimet për korrupsion në nivel të lartë gjatë mandatit të tij 12-vjeçar që zgjati deri në vitin 2018. /Telegrafi/