Travis Scott po kthehet në skenën e madhe gati një vit pasi 10 njerëz vdiqën gjatë festivalit të tij “Astroworld” në 2021.
Klubi i natës “Zouk” në Las Vegas njoftoi të hënën (1 gusht) se reperi, 31 vjeç, do të luante shtatë shfaqje në vendin e tyre duke filluar nga muaji i ardhshëm.
“Travis Scott ishte i përshtatshëm për listën e klubeve të natës Zouk”, tha në një deklaratë Andrew Li, CEO i “Zouk Group”.
“Performancat e tij elektrike do të kombinohen në mënyrë të përkryer me atmosferën tonë, duke u sjellë mysafirëve tanë një shfaqje të pakrahasueshme, ndryshe nga çdo gjë tjetër që mund të gjejnë në Las Vegas”, thuhet tutje në deklaratë.
Lajmi vjen një muaj pasi paraqitja e Scott në festivalin e Nevadas “Day N Vegas” u anulua.
Organizatorët për festivalin Vegas, i cili do të zhvillohej gjatë fundjavës së Ditës së Punës më 2-4 shtator, thanë se performanca u anulua për shkak të “një kombinimi të çështjeve logjistike, kohës dhe prodhimit”. Kjo do të ishte performanca e parë e reperit “Goosebumps” në festival që nga Astroworld.
Scott dha performancën e tij të parë publike në ultraclub “E11” të Miamit edhe gjatë çmimit të madh të Formula 1 në maj. Ai gjithashtu luajti në një festë të Coachella dhe një festë para ndarjes së çmimeve “Oscars”.
Pas tragjedisë, 400 padi janë ngritur kundër Scott, Live Nation dhe të tjerëve të përfshirë në festival. Të gjitha palët janë akuzuar për neglizhencë dhe rastet janë kombinuar në një çështje civile që përfaqëson rreth 2800 viktima. Të dy Scott dhe Live Nation i kanë mohuar akuzat.
Në dhjetor, reperi 31-vjeçar i tha Charlamagne Tha God se ai “1,000 për qind” bëri gjithçka që mundi për të ndihmuar anëtarët e audiencës që po vdisnin pasi e kuptoj se kishte një problem.
“Sa herë që mund të dëgjoni diçka të tillë, dëshironi të ndaloni shfaqjen, dëshironi të siguroheni që fansat të marrin vëmendjen e duhur që u nevojitet”, tha reperi, i cili ka dy fëmijë me Kylie Jenner.
Ai vazhdoi, duke thënë se ndriçimi, mjetet piroteknike dhe tingulli i shfaqjes mund ta bëjnë të vështirë të dallosh se çfarë po ndodh kur jeni në skenë. /Telegrafi/