Site icon Telegrafi

Trashëgimia e Peter Brookut është kudo në teatrin e sotëm

Nga: Andrew Dickson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Thuhet: mos i tako kurrë heronjtë tuaj. Kur u takova për herë të parë me Peter Brookun  (21 mars 1925 0 2 korrik 2022) në vitin 2010, nuk ishte aq hero sa legjendë: guru, shaman, magjistar, maestro. Ishte i brishtë – i vogël gjithashtu, duke u futur në teatër me këpucë të bardha me taban të trashë. Por, në momentin që e vuri mbi ju shikimin e tij të famshëm me ngjyrë akulli të kaltër, ishte e qartë se mendja e tij ishte prej çeliku.

Reputacioni njerëzve u bën gjëra qesharake; veçanërisht në teatër, një formë arti që i jepet krijimit të miteve, ku historitë për shfaqjet e famshme që nuk i keni parë zgjerohen përmes rrëfimeve. Unë për shembull jam shumë i ri për të parë ndonjë nga veprat e hershme ose të periudhës së mesme të Brookut, spektaklet si “Konferenca e zogjve” ose “Mahabharata”. Regjisori që takova ishte minimalisti i vonshëm, lustrues i shëmbëlltyrës së pjesëve që shkëlqejnë si guralecë nën sipërfaqen e një lumi. Shpesh ishin të fshehtë, ndonjëherë krejtësisht të çuditshëm. Por, aftësia e Brookut për të krijuar imazh të shkëlqyer teatral – duke bashkëpunuar që nga mesi i viteve 1970 me zëvendësen e tij të besuar, Marie-Hélène Estienne – ishte e pashembullt. Më kujtohet aktori William Nadylam te “Kostumi” duke nxjerrë një shami nga xhepi dhe duke e kthyer në mbulesë tavoline, voilà, mu ashtu. Më pas pati një mbrëmje me tregime të shkurtra të Beckettit me Marcello Magnin, Khalifa Natourin dhe Kathryn Hunterin. Jam në gjendje jo vetëm ta përfytyroj atë në mendjen time, por pothuajse ta riprodhoj, se aq therëse ishte qartësia e tij.

Brook ishte gjithashtu – dhe kjo është më e rrallë se sa mund të mendohej – një regjisor intensiv muzikor. “Flauti magjik” i tij i thellë me piano dhe me një kastë prej nëntë vetash, të cilin e pashë në vitin 2011, kap delikatesën e madhe të shkrimit të Mozartit dhe nxjerr harenë e kënaqësisë së jetës. Brook kishte krijimtari të ngjashme të trazuar që ishte plotësisht mozartiane, si dhe aftësinë e kalimit të menjëhershëm nga entuziazmi në seriozitet të madh. Brook e kishte gjithashtu artin e veçantë të shoumenit që e bënte atë të dukej pa art. Kur e intervistova Estiennen në vitin 2015, më tha se aktorët e tij – zakonisht në të tridhjetat dhe në të dyzetat – i merrnin si rraskapitëse kërkesat e provave të pafundme, por jo edhe Brooku.

“Fusha e betejës” (2015), e bazuar te “Mahabharata”, e tërhoqi vëmendjen time: herë drithërimë e qartë, herë gnome deri në pikën e paqartësisë. “I burgosuri” që erdhi në Londër në vitin 2018, supozohet se u bazua në një takim nga jeta e vetë Brookut, katër dekada më parë; u ndje si jashtë kohe e po ashtu edhe çorientuese, veçanërisht në portretizimin e temave si përdhunimi incest dhe kolonializmi. Por, është mahnitës secili që ka karrierë mbi 70-vjeçare në teatër, e lëre më që ndryshon drejtime siç bënte Brooku. Brook dukej se ishte varur në rininë e vet, pjesërisht përmes përfshirjes së tij me krijuesit e rinj të teatrit. Përveçse ishte bashkëpunëtor bujar, mirëpriti një valë të madhe të bashkëpunëtorëve në teatrin “Bouffes du Nord” dhe në vitet e tij të mëvonshme ishte mjeshtër vizitor në teatrin “Young Vic” të Londrës. Kopjet me faqe të thyera të librit të tij “Hapësira e zbrazët” mund të mos jenë më aksesor i domosdoshëm për regjisorët e ardhshëm (dhe faleminderit Zotit për këtë, mund të ketë thënë Brook), por ndikimi i tij është kudo: në shpikjen hektike të trupës “Complicité”, te esencializmi i zhveshur i teatrit “Cheek nga Jowl”, si dhe në stilet e krijuesve të ndryshëm të teatrit, si Marianne Elliott, Robert Icke, Emma Rice dhe Ivo van Hove.

Shihni trupat e tilla si “1927” ose “Frantic Assembly”, ose eksperimentalizmin i regjisorëve si Yaël Farber, Kwame Kwei-Armah dhe Tim Supple, dhe do të shihni ndikimin e Brookut, shpeshherë nga puna e bërë më shumë se një brez më parë. Trashëgimia e tij më e rëndësishme është bërja e dramës multikulturore. Projektet e tij me artistë nga e gjithë bota, të shumë prejardhjeve kulturore dhe etnive, kanë kritikët e tyre, por ato ishin vërtet pioniere. Ndihmuan të ndryshonin për të mirë fytyrën – dhe fytyrat – e teatrit dhe ta mbushnin teatrin britanik me një ndjenjë të elanit kontinental.

Një nga takimet e mia të fundit me Brookun ndodhi në vitin 2015, në “Bouffes”. Aktorët dhanë përshëndetjen, publiku nisi të shpërndahej. Isha në lozhë kur e pashë Brookun më poshtë. Fshihej në hije; më thanë më vonë se nuk kishte menduar të jetë në shfaqjen e asaj nate. Por, nuk mund të rezistonte të mos dilte për të parë se si po shkonte shfaqja. E pashë duke e prirë me butësi nëpër harkun e prosceniumit për t’u dhënë vërejtje aktorëve. Disa këshilla të lehta dhe u largua. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version