Site icon Telegrafi

“Trashëgimia e Lartësive”, të enjten mbahet homazh për Ganimete Vulën – gruan që përqafoi qiellin, para 70 viteve

Stadiumi “Fadil Vokrri” më 19 dhjetor 2024 (e enjte) do të shndërrohet në një skenë simbolike për të nderuar Ganimete Vula, vajzën e parë shqiptare nga Kosova që sfidoi qiellin dhe normat shoqërore të viteve ’50.

Në vitin 1954, Ganimetja shënoi histori duke u bërë parashutistja e pare shqiptare në Kosovë, me një kërcim të guximshëm nga një avion PO-2 dhe një ulje të sigurt në Stadiumin e Prishtinës, duke hapur një kapitull të ri për aviacionin dhe guximin njerëzor.

Më shumë se një sportiste e guximshme, Ganimete Vula-Nura ishte një simbol i lirisë, një poete dhe një mësuese e përkushtuar. Ajo ishte një zë i fuqishëm për shkollimin e vajzave dhe grave, duke frymëzuar breza të tërë që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të sfidojnë çdo kufi.

Në këtë përvjetor të veçantë, qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve dhe mediat janë të ftuar të marrin pjesë në ngjarjen përkujtimore “Trashëgimia e Lartësive”, për të reflektuar mbi trashëgiminë e saj dhe për të nderuar rolin e grave në shoqërinë kosovare.

Programi i ngjarjes:

Ora 12:00 – Fluturimi simbolik me paragllajd: Eduard Daci, kampion botëror dhe përfaqësues i Federatës Aeronautike të Kosovës, do të nisë një fluturim simbolik nga Pallati i Drejtësisë. Duke mbajtur flamurin me portretin e parashutistës Ganimete Vula, ai do të fluturojë mbi qytetin e Prishtinës dhe do të ulë flamurin në Stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ora 12:00 – 13:00 – Ceremonia në Stadium: Eduard Daci do të përfundojë fluturimin e tij me një ulje të kontrolluar në stadium, në vendin historik ku Ganimetja zbriti 70 vite më parë, duke përcjellë një mesazh simbolik të guximit, përkushtimit dhe ndjekjes së ëndrrave.

Kjo ngjarje nuk është vetëm një homazh për një figurë të jashtëzakonshme, por edhe një thirrje për të ndjekur shembullin e saj, për të thyer barrierat dhe për të arritur lartësitë më të mëdha.

Ganimete Vula-Nura mbetet një frymëzim i gjallë për të gjithë ata që ëndërrojnë lartësitë dhe punojnë për të realizuar ëndrrat e tyre, thuhet në njoftim.

Exit mobile version