Policia shqiptare ka njoftuar sot finalizimin e një operacioni ku kanë rënë në pranga tre shtetas dhe janë shpallen në kërkim dy të tjerë, bashkëpunëtorë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia ka zbuluar gjithashtu bimë narkotike.
“Në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjetën të strehuar nëntë emigrantë që do të transportoheshin me pagesë, drejt kufirit me Malin e Zi.
Në këtë banesë u gjetën edhe 114 kubikë me fara kanabisi, gati për t’u kultivuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka shtuar se janë proceduar në gjendje të lirë nëntë emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe ka sekuestruar 114 kubikët, dy automjete që përdoreshin për transportimin e emigrantëve dhe dy aparate celulare.
Në pranga kanë rënë, E. P., 35 vjeç, banues në Pezë Helmës (Tiranë), B. H., 34 vjeç, banues në Shkup, dhe A. R., 31 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. Gj., 41 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeç.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së”, shton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/