Transportit publik në Prishtinë së shpejti pritet t’i shtohen edhe autobusë të tjerë. Për momentin operojnë 51 autobusë, ndërsa nga flota e re prej 110 autobusësh, 80 prej tyre do t’ takojnë sektorit privat, të cilët do të jenë nën ombrellën e Komunës.
Zyrtarë nga Komuna bëjnë të ditur procedurat e prokurimit dhe tenderimit për flotën e re do të fillojnë në shtator të këtij viti.
“Me planin e mobilitetit është paraparë që në kryeqytet duhet të operojnë 161 autobusë. Për momentin trafiku urban ka 51 autobusë edhe 30 -31 pritet me ardh, ndërsa 80 të tjerë i takojnë sektorit privat për të cilat me kontratat dhe marrëveshjet e reja edhe ata do të trajtohen njëjtë si trafiku urban dhe do të jenë nën ombrellën e Komunës së Prishtinës”.
“Flota e re realisht pritet të filloi, procedura e tenderimit në shtator dhe pjesa se sa do të zgjas procedurat, ato janë të rregullime me ligj. Mirëpo, nga shtatori ne vetëm do të fillojmë me procedurat e prokurimit, tenderimit për flotën e re”, thotë Ilirik Musliu, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike.
Pjesë e flotës së re pritet të jenë edhe disa autobusë elektrikë, e që sipas Musliut, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në cilësi dhe mbrojtje të ambientit.
“Prej tyre 6 deri 8 do të jenë elektrik. Ata (autobusët) është vendosur që të përdoren në unazën qendrore njëkahore që do të jetë brenda qytetit?. Po, kjo ndikon pozitivisht. Flota e re gjithsesi ndikon pozitivisht e sidomos pjesa e autobusëve elektrik, andaj, një prej qëllimeve pse flota elektrike do të përdoret brenda unazës qendrore është edhe mbrojtja e ambientit”, thotë Musliu.
Por, ambientalisti Afrim Berisha është skeptik nëse autobusët elektrikë do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Nëse e shikojmë për nga numri, nuk duket se do të jetë ndonjë ndikim significant meqenëse ky numër është simbolik andaj edhe ndikimi në përmasimin e cilësisë së ajrit mendoj që do të jetë simbolik. Por ajo çka është e rëndësishme të përmendët në këtë çast, është iniciativa që ka ndërmarr Komuna e Prishtinës që në flotën e saj të ketë autobus elektrik”, thotë Berisha.
Berisha shton se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të mendojnë për shtimin e automjeteve elektrike, meqë Kosova synon integrimet evropiane.
Sipas tij, ekziston edhe një rregullore e posaçme e Bashkimit Evropian, ku prej vitit 2025 është e paraparë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të jenë të obliguara që nga automjetet e reja të regjistruara, 15% prej tyre duhet të jenë elektrike dhe me emetime zero. /RTK/