Site icon Telegrafi

Transporti publik përplas Komunën me operatorë privatë

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, është kërcënuar se do të paditet nga transportuesi N.Sh. “Kastrioti” sh.p.k. në rast se nuk merr parasysh vërejtjet e kësaj kompanie për respektimin e një marrëveshjeje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe asaj të Obiliqit për transportin publik.

Shtatë ditë i janë dhënë afat Gashit dhe Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjenca që të marrin parasysh vërejtjet e këtij transportuesi. Ndryshe, sipas një shkrese që i është dërguar atij dhe DSHPE-së, lënda do të shkojë në gjyq.

Drejtori i N.Sh. “Kastrioti” sh.p.k., Mehmetali Hasani, ka thënë se Komuna e Obiliqit i ka shkelur nenet 1.3 dhe 4 të marrëveshjes të nënshkruar ndërmjet Komunës së Prishtinë dhe asaj të Obiliqit në vitin 2005, për transportin publik të linjës Prishtinë-Obiliq dhe anasjelltas, kur ka bërë orar të ri të udhëtimeve pa i pyetur operatorët e as Komunën e Prishtinës, siç parashihet në atë marrëveshje. /Telegrafi/

Exit mobile version