Zhvendosjet duhet të jetë të qarta, të sakta dhe të shpejta, shishet me vaksina anti-COVID duhen trajtuar mirë pa humbur asnjë sekondë.
Vaksinat e Pfizer mbërrijnë me avion nga Belgjika dhe më pas transportohen në qendrat rajonale, sikundër këtu në Livorno, në veri të Toskanës.
Dozat e ngrira transportohen me kujdes në një zonë që ngjason si bunker e që ndodhet pranë farmacisë së spitalit.
“Kemi vetëm tre minuta kohë për të zhvendosur produktin nga paketimi origjinal i Pfizer për ta kaluar në frigorifer për të parandaluar shkrirjen e tij. Kjo ka rëndësi, të shmangim shkrirjen dhe ringrirjen. Duhet të sigurohemi se produkti kalon menjëherë në ngrirje, ku ruhet në minus 80 gradë celcius”, u shpreh Giuseppe Taurino, drejtor i farmacisë në Toskanë.
Shishet ruhen në temperatura të ulëta, pastaj ditën tjetër shkrihen për t’u dërguar në qendrat lokale, ku duhet të përdoren brenda 5 ditësh, raporton euronews.
Profesionistët e shëndetësisë janë nën presion për të garantuar efikasitetin dhe shpejtësinë e të gjithë procesit. “Ne kemi aftësi të shpejtë për t’u përshtatur. Sidoqoftë, ndikimi ka qenë i madh, veçanërisht për shpejtësinë se si ndodhin dhe ndryshojnë gjërat. Na u desh të përshtatnim kohën dhe procedurat e punës me nevojat e reja që lindin”, tha Francesca Azzena.
“Koha është thelbësore. Vetëm disa minuta mund të kalojnë jashtë zinxhirit të ftohjes para se vaksina të bëhet e papërdorshme. Askush nuk mund të përballojë asnjë humbje, veçanërisht në këto ditë kur mungesa e vaksinës është shqetësimi më i madh në të gjitha vendet evropiane”, tha Luca Palamara.
Mungesa aktuale e vaksinave ka ushtruar presion të mëtejshëm mbi agjencitë shëndetësore rajonale në të gjithë vendin, të cilat reagojnë me një nivel më të lartë koordinimi midis të gjitha qendrave të përfshira.
“Të gjitha agjencitë lokale shëndetësore kanë kontribuar në ruajtjen e vaksinave dhe i kanë vënë vaksinat në dispozicion të atyre agjencive ku mungesa është më e lartë. Është një lloj ndihme e ndërsjellë ndërmjet agjencive lokale shëndetësore në terren”, pohoi Giuseppe Taurino.
Lufta kundër virusit po pengohet nga mungesat e vaksinave dhe çështjet logjistike rreth shpërndarjes. Evropa shpreson që miratimi i vaksinës tjetër, e cila nuk ka nevojë të ruhet në temperatura kaq të ulëta, do të ndihmojë në rritjen e numrit të njerëzve që mund të vaksinohen. /Telegrafi/