Telegrafi

Transplanti i parë i suksesshëm i syrit në botë, amerikanit iu zëvendësua edhe gjysma e fytyrës

Kirurgët në New York kanë bërë të ditur se kanë kryer transplantin e parë të plotë të syrit, ndonëse ende nuk është e sigurt që syri i ri do t’ia kthejë shikimin pacientit, shkruan BBC.

Aaron James, që i mbijetoi goditjes së rrymës, iu nënshtrua një operacioni 21 orësh për të zëvendësuar gjysmën e fytyrës së tij, transmeton Telegrafi.

Kirurgët kanë kryer me sukses transplantimin e kornesë prej vitesh. Megjithatë, ekspertët e quajtën këtë operacion një moment kyç në përpjekjen për të rivendosur shikimin e miliona njerëzve të verbër në mbarë botën.

James, një punonjës i shërbimeve komunale në Arkansas, humbi pjesën më të madhe të fytyrës kur preku aksidentalisht një tel me rrymë 7,200 volt në vitin 2021.

Më 27 maj të këtij viti, përveç transplantit të syrit, ai iu nënshtrua një transplanti të rrallë të pjesshëm të fytyrës – në të cilin morën pjesë më shumë se 140 punonjës shëndetësorë.

Kirurgët në Spitalin Universitar të New Yorkut Langone Helt, thanë se James, 46 vjeç, po shërohet mirë nga transplanti i dyfishtë dhe se syri i dhuruar duket jashtëzakonisht i shëndetshëm. Syri i tij i djathtë ende punon.

“Vetë fakti që ne kemi kryer transplantin e parë të suksesshëm të një syri të tërë me një fytyrë, është një arritje e madhe që shumë e menduan se ishte e pamundur për një kohë të gjatë”, tha mjeku Eduardo Rodriguez, një nga kirurgët kryesorë në ekip.