Ishte një moment që Meagan James nuk e priste kurrë të ishte dëshmitare e një arritje të madhe në fushën e mjekësisë.
Një ekip i kirurgëve të “NYU Langone Health” në New York ka kryer transplantin e parë të suksesshëm të syrit tek një person i gjallë: burri i saj, Aaron James.
Kur Meagan shikoi syrin e ri të burrit të saj për herë të parë pas ndërhyrjes kirurgjike, ajo vërejti se ai ishte ngjyrë kafe. Natyrisht, bashkëshorti i saj ka sy të kaltër, raporton cnn.
Ajo pa gjithashtu hundën, buzët dhe faqen e re tek burri, “ishte një ndjenjë e çmendur, e mrekullueshme dhe e çuditshme”, tha Meagan.
Në fakt, pas një aksidenti në punë që i shkaktoi humbjen e syrit të majtë dhe një pjesë të fytyrës, Aaronit iu kthye një shpresë me ndërhyrjen e mjekëve.
Në fund të muajit maj, një ekip prej më shumë se 140 kirurgësh në “NYU Langone Health” përfundoi procedurën e transplantimit te Aaroni, e cila zgjati rreth 21 orë. Operacioni përfshinte transplantimin e të gjithë syrit të majtë dhe pjesëve të fytyrës nga një donator i vetëm.
Syri i Aaron tani po tregon shenja “të jashtëzakonshme” të shëndetit të mirë, sipas ekipit mjekësor. Edhe pse ai nuk mund të shohë, ai mbetet me shpresë se vizioni mund të vijë me kalimin e kohës – dhe se procedura e parë e këtij lloji mund të ndihmojë në avancimin e mjekësisë së transplantit.
“Kjo është me të vërtetë shpresa ime më e madhe”, tha Aaron dhe shtoi se “nëse mund të shoh nga ajo, kjo është e mrekullueshme. Por, nëse do të nxisë një rrugë të re në fushën e mjekësisë, atëherë unë jam plotësisht pro kësaj”.
Kur operacioni përfundoi dhe Aaron shikoi fytyrën e re në një pasqyrë për herë të parë, ai ishte i emocionuar.
Aaroni vazhdon të monitorohet nga afër dhe duhet të vazhdojë të marrë medikamente për të zvogëluar rrezikun që trupi t’ia refuzojë transplantin.
Ekipi mjekësor vëren se syri ka treguar shenja të shëndetit të mirë, të tilla, si rrjedhja e drejtpërdrejtë e gjakut në retinë, shtresa e indeve në pjesën e pasme të kokës së syrit e lidhur me përpunimin vizual. /Telegrafi/