Telegrafi

“Transkripta ishte e sajuar” – thonë hetimet rreth aksidentit të nëndetëses Titan, ku vdiqën pesë persona

Në muajin qershor të vitit të kaluar, në shpërthimin e nëndetëses private Titan, e cila po zbriste në rrënojat e Titanikut, u vranë të pesë pasagjerët, të cilët, sipas raportimeve, vdiqën në një fraksion të sekondës.

Një transkript i supozuar i komunikimit mes nëndetëses dhe anijes amë ka qarkulluar në internet. Transkripti sugjeroi se pasagjerët ishin në dijeni të shpërthimit të afërt. Por, kreu i ekipit të qeverisë federale amerikane që hetoi fatkeqësinë tha se i gjithë transkripti ishte trillim.

“Jam i bindur se është një transkriptim i rremë. Gjithçka është e sajuar”, tha kapiteni Jason D. Neubauer, anëtar në pension i Rojës Bregdetare të SHBA-së, e cila nisi një hetim mbi shpërthimin qershorin e kaluar dhe kryetar i Bordit të Hetimit të Trupave Detare.

“Dikush e bëri atë mjaft bindshëm”, pohon ai, shkruan newyorktimes.

Një transkript që qarkullonte në internet sugjeronte se pasagjerët e nëndetëses ishin në dijeni të alarmeve të shumta që ishin aktivizuar në anije dhe se kishin informuar në kohë anijen e tyre amë.

Ndërkohë, mësohet se hetuesit amerikanë kanë siguruar edhe të dhënat e komunikimeve aktuale mes nëndetëses dhe anijes amë Polar Prince. Megjithatë, ky informacion mbeti i papublikuar.

Neubauer tha se ekipi “nuk gjeti prova” se pasagjerët e Titan ishin në dijeni të shpërthimit të afërt ose fatit të tyre.

Neubauer shtoi se hetimi për shpërthimin e Titanit ishte një nga më komplekset që ai kishte bërë në dekadat e punës së tij dhe se raporti përfundimtar mbi aksidentin mund të përfundojë pas dy deri në tre vitet e ardhshme për shkak të “komplikimeve të shumta”. /Telegrafi/