Site icon Telegrafi

Transformimi i FSK-së sfidë për Kosovën

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, vazhdon të mbetet një sfidë për vendin.

Kështu thotë komandanti i FSK-së, gjeneral major Rrahman Rama, në një intervistë për Radio Kosovën.

Në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rama thotë se FSK-ja me kapacitetet aktuale, është e gatshme të transformohet në Ushtri të Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, tha për Radio Kosovën se suksesi më i madh i FSK-së është besueshmëria që ka te qytetarët.

Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri, kjo do të ndodhë edhe pse tani për tani nuk mund të flitet për ditë apo muaj. Ai tha se kjo vazhdon të mbetet një sfidë politike, që Forca e Sigurisë së Kosovës duhet ta kalojë.

“Sfida kryesore është transformimi. Besoj dhe shpresoj që do të ndodhë, por, kur, nuk mund të flasim për ditë të caktuara, por jemi në rrugë të mirë dhe jemi në proces të marrjes së vendimit politik, sepse transformimi i FSK-së në ushtri, është çështje politike”, tha Rama.

Duke folur për kapacitetet e tanishme të FSK-së, Rama tha se ato janë ndërtuar sipas standardeve të NATO-s.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme kurdo që pasi të merret vendimi politik, t’i implementojë planet e veta. E them me përgjegjësi që jemi të gatshëm. Gjithçka që kemi ndërtuar e kemi ndërtuar sipas standardeve të NATO-s dhe me partnerët tanë. Qëllimi dhe synimi ynë kryesor është, që të jemi pjesë e NATO-s”, shtoi Rama.

Komandanti i FSK-së, gjeneral major Rrahman Rama, ka lavdëruar shumë edhe punën e FSK-së në fushën e deminimit.

 

Exit mobile version