Është sinjali i fundit që të gjitha shtetet ta marrin fenomenin e terrorizimit me seriozitet dhe të fillojnë aktivitetet më serioze për përballje me këtë fenomen, thotë Bejtush Gashi, profesor i çështjeve të sigurisë dhe ish zëvendësministër i FSK-së.
“Në shkuarjet e para të kosovarëve në Siri, motivet kanë qenë krejt tjera, mirëpo ky motiv më vonë është degraduar. Një pjesë e madhe e kosovarëve që ju kanë bashkangjitur opozitës në Siri, ka qenë e përkrahur edhe nga Bashkësia Evropiane. Por, më vonë, zhvillimet në terren janë degraduar dhe degradimi i zhvillimeve nuk është varur nga kosovarët që aktualisht janë në Siri, po është varur nga raporti i forcave brenda opozitës dhe fraksioneve të opozitës në Siri”, ka deklaruar Gashi në smisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.
Masat që Kosova ka marrë në parandalim të këtij fenomeni, sipas tij, kanë dhënë rezultatet e veta si në aspektin e informimit, ashtu edhe në aspektin e masave parandaluese, ndërsa shton se në të ardhmen duhet të punohet edhe më tepër që ky fenomen dhe fenomene tjera të ngjashme të parandalohen.
“Për tu përballur me këtë fenomen duhet një ekspertizë jashtëzakonisht e madhe, që zakonisht shtetet e vogla nuk e kanë”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ende nuk ka një bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, andaj në këtë drejtim ne nuk marrim informacione në mënyrë të drejtpërdrejtë, por informacione të tërthorta.
Ai ka folur edhe për transformimin e FSK-së në FAK, duke thënë se më parë ka ekzistuar një ide që mund të shkojë në evoluimin e Forcës pa një vendim të ndryshimeve kushtetuese.