Telegrafi

Transferimi i Milik te Roma ka hasur në vështirësi, mund ta prish edhe kalimin e Dzekos te Juventusi

Media të shumta italiane shkruajnë se Roma ka kërkuar të ndryshojë kushtet për Arkadiusz Milik, duke përfshirë edhe një zbritje të mundshme prej 5 milionë euro nga Napoli, e kjo e ka vënë në rrezik edhe transferimin e Edin Dzekos në Juventus.

Marrëveshja e dyfishtë dukej që ishte mbyllur 48 orë më parë, me Milik që duhej të kalonte testet mjekësore dhe pastaj të kalonte si huazim me detyrim blerje për 18 milionë euro plus 7 milionë euro bonuse dhe dy lojtarë të ekipit të të rinjve.

Nga ana tjetër, Dzeko do të lirohej për t’u bashkuar me Juventusin për 15 milionë euro dhe për këtë boshnjaku ishte lënë në stol sot ndaj Hellas Verona.

La Gazzetta dello Sport, Il Tempo dhe të tjera mediume tani raportojnë se situata ka ndryshuar.

Milik aktualisht po debaton me Napolin për detajet e pagave të papaguara dhe gjobën që e kishte marr kur skuadra ishte ngritur kundër trajnerit të atëhershëm Carlo Ancelotti në nëntor 2019. Flitet për një shumë prej 1 milion euro.

Për më tepër, flitet edhe për probleme te tij me testet mjekësore, pasi polaku kishte këputur ACL në të dy këmbët.

Roma tani kërkon zbritje prej 5 milionë euro në marrëveshje, për shkak të dëmtimeve dhe kjo ka shkaktuar vonesa në këtë transferim.

Napoli nuk ka ndërmend të ulë çmimin, por gjithashtu Milik ka kontratë deri në fund të këtij sezoni dhe mund të fillojë negociatat për një transferim falas në janar. /Telegrafi/