Telegrafi

Transferimi i lëndëve nga Gjykata e Mitrovicës, avokatët kundër

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim që t’i transferojë 83 lëndë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në gjykata të tjera në vend. KGJK e ka arsyetuar këtë vendim, duke thënë se po duan të sigurojnë një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Avokatët janë duke e kundërshtuar vendimin.

83 lëndë i ka transferuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës nga Gjykata Themelore e Mitrovicës në Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj.

Gjithë këto lëndë u transferuan për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve në Themeloren e Mitrovicës, pas dorëheqjes së serbëve.

“Është vërejtur se është e pamundur që lëndët të shqyrtohen brenda një afati të arsyeshëm kohor aq më tepër kur në mesin e disa lëndëve ka pasur lëndë që kanë qenë me paraburgim”, thuhet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në një përgjigje të KGJK-së theksohet se disa prej lëndëve kanë të bëjnë me raste të krimeve të luftës.

Vendim nuk u ka pëlqyer avokatëve që kanë raste në këtë Gjykatë.

Për avokatin Mahmut Halimi, KGJK bëri gabim me marrjen e këtij vendimi.

E avokati tjetër, Kadri Osaj, thekson se problemi më i madh do të paraqitet me dëshmitarët.

Ditë më parë, avokati Halimi tregon se kërkoi një sqarim për këtë vendim, por nuk u pajtua me arsyetimin e institucioneve.

Ndërsa Këshilli Gjyqësor akoma nuk ua ka aprovuar dorëheqjet gjyqtarëve serb, të cilët prej gati tre muajsh kanë dorëzuar punën./RTV Dukagjini/