Telegrafi

Trajtimi i tmerrshëm i kafshëve në Terminalin Doganor të Prizrenit (Foto/Video)

Dy lopë kanë ngordhur në këta dy kamionë në terminalin doganor në Prizren.

Kamionët e ardhur nga Rumania me gjedhe të destinuara për therje, janë në këtë terminal që nga pasditja e së mërkurës, raporton KTV.

Ata janë ndaluar nga zyrtarët doganorë, me ç’rast i është kërkuar pronarit që të gjitha kafshët nëpër kamion t’i masë edhe njëherë.

Pronari i kompanisë “Agro Fida”, Fidan Zhitia nga Podujeva ka treguar se janë të pakuptueshme vonesat që i janë bërë nga ana e Doganës dhe ka thënë se ngordhja e këtyre lopëve, është pasojë e pritjes së gjatë në terminal.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se e njëjta kompani është gjobitur më herët nga ana e Doganës për parregullsi dhe se tani çdoherë duhet kontrolluar me kujdes.

Ngordhjen e kafshëve, e kanë konfirmuar edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë, pasi që inspektori Veterinar Kufitar kishte kontrolluar këta kamionë.

Ndërkaq, këta dy kamionë ishin nisur nga Rumania tri ditë më parë dhe vlera totale e këtyre gjedheve, kap shifrën e 21 mijë e 455 euro.

Kompania “Agro Fida”, ka 3 vjet që furnizon me gjedhe për therje shumicën e thertoreve të Kosovës.