Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar raportin “Trajtimi institucional i rasteve të korrupsionit: Sfidat e sistemit gjyqësor gjatë një viti”, ndërsa thuhet se numri i lartë i seancave të anuluara apo të mbajtura me vonesë, kontribuon ndjeshëm në zvarritjen e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit.
Raporti i prezantuar sot përfshin gjetjet nga 458 seanca gjyqësore të monitoruara, nga të cilat 322 janë zhvilluar dhe 127 janë mbajtur me vonesë ose janë anuluar.
Arsyeja kryesore e këtyre vonesave thuhet se është mosparaqitja e palëve në gjykim dhe neglizhimi i gjykatave në lëshimin e urdhrave të arrestit.
Po ashtu, shumë seanca dështojnë për çështje teknike dhe administrative, përfshirë mungesën e personelit kyç dhe planifikimin e dobët.
Prishtina ka pasur numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara 43, ndjekur nga Mitrovica dhe Gjilani 25.
Kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit ishte 688 ditë, me variacione rajonale të dukshme.
Nga 143 aktgjykime, 89 ishin aktgjykime dënuese. Nga këto 89, 51 ishin dënime me gjobë, 9 me burg, 6 me burg dhe gjobë, dhe 1 me gjobë dhe burgim me kusht. Dënimet plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratën publike janë aplikuar rrallë.
Në njoftimin e GLPS-së thuhet se raporti është rezultat i monitorimit të seancave gjyqësore dhe vendimeve të marra nga gjykatat gjatë periudhës 1 prill 2023 – 31 mars 2024. /Telegrafi/