Telegrafi

Trajnimi i rojeve të plazhit, në Vlorë mungojnë punëtorët

Ndërsa operatorët e turizmit kanë nisur punën duke plotësuar bregun e detit me çadra e shezlongë, ka nisur ndërkohë edhe puna sa i përket elementëve të sigurisë, siç është edhe pajisja e stacioneve me vrojtues plazhi ku duket se këtë vit ka një ndërgjegjësim më të lartë.

“Për momentin kemi trajnuar 31 vrojtues, jemi në proces të trajnimit të 15 personave të tjerë. Situata është goxha e mirë se janë goxha më të ndërgjegjësuar nga vit në vit për pjesën e rolit të vrojtuesit të plazhit në stacionet e plazhit”, u shpreh instruktorja e vrojtuesve, Leneda Halilaj.

Ajo tha për Euronews Albania se për punësimin e vrojtuesve interes më të lartë tregojnë pronarët e bizneseve.

“Situata është pothuajse njësoj, gjithmonë pronarët e plazheve janë më të interesuarit dhe kemi gjysmë për gjysmë persona që vijnë dhe trajnohen kemi edhe pronarët e plazhit sepse nuk gjejnë persona për ti trajnuar, kemi edhe persona të cilët janë të interesuar që trajnohen dhe punësohen në stacionet e plazhit”, shtoi Halilaj.

Familja Lala ka në përdorim një stacion plazhi dhe djali i familjes ka zgjedhur të bëhet pjesë e trajnimit sepse e ka pasion notin dhe i pëlqen të ndihmojë njerëzit. Lidhur me vështirësinë për të gjetur të rinj të interesuar ai tha se nuk është çështje pagese.

“Them që paguhen mirë dhe çdo gjë është me dëshirë, kush do e zgjedh këtë punë kush do jo”, u shpreh Enea.

Vrojtuesi i plazhit është detyrim ligjor për shfrytëzimin e stacionit të plazhit. Deri tani në Vlorë janë aktiv rreth 150 të tillë ndër vite, duke marrë parasysh se rinovimi i kartës bëhet çdo dy vjet.

Vrojtuesi i plazhit është i detyrueshëm në çdo 80 metër largësi, që do të thotë se një vrojtues mund të mbulojë më shumë se një stacion, por shpesh mosdakordësia e pronarëve me njëri tjetrin për hapësirat, krijon ngërç edhe për vrojtuesit. /Telegrafi/