Site icon Telegrafi

Trajnimi në Arizona, ushtarët gjermanë gati shkaktuan “incident diplomatik” – keqkuptimi u shmang pas disa telefonatave midis Uashingtonit dhe Berlinit

Ushtarët e forcave speciale gjermane me një mision stërvitor në SHBA gati sa shkaktuan një incident diplomatik në fillim të këtij muaji.

Kështu së paku shkruajnë mediat e huaja, sipas të cilave, këmbëngulja e njësisë gjermane “për fshehtësi” shkoi keq kur një spital lokal kontaktoi FBI-në për frikën se ata mund të ishin ekstremistë që planifikonin një sulm terrorist, përcjell Telegrafi.

Komanda e Forcave Speciale të Gjermanisë (KSK) mban trajnim të rregullt me parashutë në rënien e lirë në qytetin e vogël të Arizonës, Eloy, në jug të Phoenix, për shkak të kushteve të qarta të motit.

Trajnimi zhvillohet me marrëveshjen e autoriteteve amerikane dhe ushtria gjermane ka postuar disa video nga vitet e mëparshme në mediat sociale.

Por fakti që trajnimi nuk është një mision sekret nuk duket se është regjistruar plotësisht.

Siç bëhet e ditur, gjithçka filloi kur ushtarët në fjalë u dërguan në spitalin lokal për të pyetur në lidhje me objektet mjekësore në rast se ndonjë anëtar i njësisë plagoset.

Por kur iu kërkua të tregonin kartat e identifikimit të tyre, ata nuk pranuan, gjë që alarmoi stafin e spitalit.

Spitali thirri FBI, i cili kontaktoi ambasadën gjermane në Uashington.

Dhe keqkuptimi thuhet se u mënjanua vetëm pas disa telefonatave midis Uashingtonit dhe Berlinit.

“Në fillim të shkurtit, dy ushtarë gjermanë pyetën një spital amerikan për mundësitë e mbështetjes në rast të lëndimeve gjatë kërcimit. Kjo ndoshta ngriti shqetësime në mesin e stafit të spitalit, pasi ushtarët identifikuan veten me urdhra të NATO-s që nuk ishin të njohur për ta”, tha një zëdhënës i ushtrisë gjermane.

“Spitali kuptohet se ka informuar autoritetet amerikane të sigurisë. Në fund të fundit, çështja u sqarua përmes ambasadës gjermane”.

Nuk dihet nëse ushtarët e përfshirë në episodin e Arizonës përballen me ndonjë masë disiplinore.

Por një pasojë është që KSK është urdhëruar të regjistrojë në ambasadën gjermane të gjitha udhëtimet e ardhshme në SHBA. /Telegrafi/

Exit mobile version