Site icon Telegrafi

Trajnimi i klasës punëtore në Maqedoni do të bëhet nga zviceranët (Video)

Kompanitë vendore me para nga Zvicra do të trajnojnë kuadro profesionale për nevojat e tyre. Kompanitë që kanë nevojë për punëtorë, mund të marrin 10 mijë franga nëse përmes këtij trajnimi punësojnë 25 persona. Por, siç shënon rritje trendi i largimit të punëtorëve jashtë vendit, punëdhënësit thonë se nuk kanë mekanizëm për ta mbajtur kuadrin profesional në Maqedoni. Edhe pse premtojnë kushte më të mira, këtyre punëtorëve do t’u ofrojnë rroga mesatare të vendit tonë, për pozita që në vendet e huaja paguhen dhjetëfish më shumë.

“Varet vendi i punës. Për shembull, kamerierët do të paguhen 18 mijë denarë, shërbyeset 19 mijë. Do të ishim të lumtur nëse trajnohen. Bëhet fjalë për luftë. Nëse 18 mijë është pak për ta, do të ofrojmë 19 mijë”, tha Ognjan Cigovski- punonjës turistik

Përmes projektit “Fondi i mundësive” në katër vitet e ardhshme planifikohet të punësohen 2200 persona ndërsa mbështetja nga Zvicra është 12 milionë euro. Do të përfshihen kompani nga shtatë sektorë ku ka më shumë mungesë të punëtorëve të kualifikuar. Mes tyre janë shërbimet, sektori i IT-së, shëndetësia, industria, bujqësia. Kompanitë në ndërkohë ankohen se sistemi arsimor nuk nxjerr kuadro që i duhen biznesit.

“Synimi është që të kemi kuadro që janë të kualifikuar, që në këtë mënyrë të mund të kyçemi nëpër shkolla në edukimin e njerëzve”, u shpreh Bojana Dimovska- përfaqësuese e kompanisë për pajisje mjekësore

Ndryshe, trajnimi do të zgjasë tre muaj, pas çka kompania do të ketë obligim në tre muajt e ardhshëm të punësojë gjysmën e kuadrit të trajnuar. Për momentin, destinacioni më i preferuar për punonjësit hotelierik është Kroacia. Për punë sezonale, rrogat e kamerierëve në Kroacia arrijnë deri në 2000 euro në muaj, me akomodim të siguruar. Tek ne, për punën e njëjtë rrogat janë mes 300 dhe 400 euro. Krahas Kroacisë, shumë shtetas të Maqedonisë për punë sezonale largohen për në Maltë, por edhe Bullgari./Alsat/

https://www.youtube.com/watch?v=KocY2N6bOco

Exit mobile version