Site icon Telegrafi

“Trajnerit të cilës skuadër ia drejtoni pyetjen?” – Bajram Shala e detyron gazetarin e AS që t’i drejtohet Challandes si përzgjedhës i Kosovës

(Foto: Screenshot/FFK)

Nuk kanë munguar tensionet në konferencën për shtyp të Kosovës, para ndeshjes kundër Spanjës që zhvillohet të mërkurën mbrëma, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’.

Si një vend që nuk e ka njohur shtetin tonë, trajtimi mediatik që i është bërë Përfaqësueses nuk ka qenë aspak i duhuri dhe këtë e ka potencuar edhe Bernard Challandes gjatë konferencës për shtyp.

Teksa, gjatë pyetjes së gazetarit të AS drejtuar strategut zviceran për përzgjedhësin e Spanjës, Luis Enrique, ka reaguar menaxheri i skuadrës tonë përfaqësuese, Bajram Shala.

Lexo po ashtu Challandes: Trajtimi mediatik mund të jetë motiv shtesë për Kosovën, por motivimi më i madh është se kundërshtar kemi një skuadër si Spanja

Derisa gazetari ia drejtoi pyetjen duke iu referuar vetëm “për trajnerin”, Shala vazhdonte ta pyeste se “trajnerit të cilës skuadër po ia drejton pyetjen?”.

Dhe pas hezitimit të tij, gazetari i AS më në fund u detyrua të thoshte “trajnerit të Kosovës” dhe vetëm atëherë e mori përgjigjen.

Ndërsa në përgjigjen e tij, përzgjedhësi i Kosovës e ka lëvduar homologun e tij në skuadrën tjetër duke thënë se nuk i takon atij të flasë për taktikat e trajnerit të Spanjës, porse ka për kundërshtar një ekip të fortë dhe cilësor. /Telegrafi/

Exit mobile version