Telegrafi

Trajneri i West Hamit, David Moyes e gjuajti fuqishëm me top një djalosh para se të përjashtohej – ai u tall pas ndeshjes duke thënë se topi i erdhi mirë për goditje

Në fund të ndeshjes së mbrëmshme të Ligës së Evropës mes Eintracht Frankfurt dhe West Ham, trajneri i mysafirëve David Moyes u përjashtua nga loja për një sjellje të keqe që e kishte pranë vijës së fushës.

Ishin luajtur 78 minuta të lojës, kur Moyes i kërkoi djalit që po mblidhte topat që t’i jepte njërin prej tyre për të dalë sa më shpejt në sulm dhe kur ai e bëri këtë, trajneri skocez e gjuajti topin me të gjitha forcën drejt tij që ishte vetëm dy metra larg.

Për fat të djalit, Moyes ishte i pasaktë, por gjyqtari Jesus Gil i tregoi menjëherë një karton të kuq.

 

Por sjellja josportive e Moyes nuk u ndal me kaq. Ai foli për incidentin në konferencë për media pas ndeshjes.

Edhe pse kërkoi falje për veprimet e tij, ai tha me një buzëqeshje të lehtë: “Ai e hodhi topin shkurt, ishte mirë për një goditje timen volej”, ka thënë Moyes.

 

West Hami i tij humbi në të dyja ndeshjet. Eintracht ka fituar 2-1 në ndeshjen e parë në Londër, ndërsa mbrëmë ka konfirmuar kalimin në finale me një fitore 1-0.

Kundërshtari i skuadrës gjermane në finale do të jetë Glasgow Rangers. /Telegrafi/