Telegrafi

Trajneri i Valencias është i qartë: Asnjëherë nuk vlen një gol pas përfundimit të ndeshjes

Valencia dhe Real Madrid kanë luajtur baras 2-2 në një ndeshje spektakolare në Mestalla dhe me shumë tension sidomos pas përfundimit të saj.

Kryeqytetasit spanjoll realizuan një gol pas përfundimit të ndeshjes dhe pretendonin se ai duhej të pranohej nga gjyqtari Gil Manzano, por ai nuk ndryshoi më mendje.

Trajneri i Valencias, Ruben Baraja, tha në konferencë për shtyp pas ndeshjes se goli i Jude Bellingham nuk vlen pasi gjyqtari vetëm se kishte vërshllyer për fundin e ndeshjes.

“Është një veprim që para se të ndodhë thotë se ndeshja do të përfundojë dhe kur topi del jashtë, ai fishkëllon. Logjikisht do të ketë polemika dhe unë e kuptoj që njerëzit mund të protestojnë, por pa zhurmë të mëtejshme”.

“Manzano vendosi që ishte fundi i lojës dhe asgjë më shumë”, tha ish-mesfushori i famshëm spanjoll që tani po drejton Valencian si trajner.

“Ndeshja ishte e tensionuar, shumë gjëra ndodhën. Pjesa e parë ishte mjaft e mirë, bëmë që Madridi të bënte gabime, gjetëm situata shënimi dhe turpi është që rezultati 2-1 nuk ishte i drejtë. Ishte një veprim i shpejtë dhe një rikthim në kohën e fundit”, tha Baraja.

Valencia zë vendin e nëntë në tabelë me 37 pikë pas 26 ndeshjeve, derisa këtë edicion po kërkon daljen në garat evropiane. /Telegrafi/