Kanë përfunduar dy ndeshjet e para në kuadër të xhiros së 15-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Në Klinë, Dukagjini dhe Ulpiana i kanë ndarë pikët duke luajtur baras (1-1).
Pas ndeshjes ka folur kryetrajneri i Ulpianës, Edlir Tetova, i cili u shpreh i gëzuar që skuadra e tij fitoi një pikë, por kishte disa kritika për skuadrën vendase të cilët sipas tij nuk luajtën Fair-Play.
“Kishim ardhur për një rezultat pozitiv dhe e arritëm qëllimin. Për mua, Ulpiana e ka fituar ndeshjen pasi lojtarët e Dukagjinit nuk e respektuan rregullin e fair-play kur shënuan golin e barazimit”.
“Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit që ka treguar rritje në secilën xhiro dhe do të presim ndeshjet e radhës për t’u përmirësuar edhe më shumë”, ka thënë Tetova. /Telegrafi/