Trepça ’89 është mposhtur 4-2 në kuadër të javës së 13-të në Superligën e Kosovës nga Prishtina.
Trajneri Shpëtim Idrizi nuk është i brengosur nga kjo humbje, duke thënë pas takimit se ata duhet të shikojnë për takimin e radhës.
“Nuk e nisëm ndeshjen mjaft mirë, megjithëse reaguam duke shënuar pas disavantazhit prej dy golave”, ka thënë strategu i skuadrës nga Mitrovica për ‘ArtSport’.
“Edhe pjesën e dytë e nisëm mirë dhe të ju them të drejtën është dashur të realizojmë për ta barazuar rezultatin, por kur nuk shënon e pëson.
“Kundërshtari na realizoi edhe dy gola të tjerë pasi që skuadra u lëshua tërësisht në ofansivë.
“Ne nuk duhet të dëshpërohemi, nuk kemi kohë për të humbur, pasi që duhet të fillojmë të përgatitemi menjëherë për ndeshjen e radhës”, ka shtuar Idrizi.
Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi që ‘Minatorët’ pësuan humbje. /Telegrafi/