Telegrafi

Trajneri i Southamptonit kërcënon Liverpoolin: Cityn e kemi ndalur dy herë, duam të tregojmë sa vlejmë

Liverpooli do të përballet nesër mbrëma me Southamptonin në kuadër të xhiros së 37-të në Ligën Premier.

The Reds kanë ende shpresa në titullin e kampionit dhe synojnë një fitore në udhëtim për të vazhduar luftën deri në xhiron e fundit.

Por për Liverpoolin nuk do të jetë e thjeshtë fitorja, pasi përballen me skuadrën që e ka ndalur në dy ndeshje në Ligën Premier rivalin e The Reds, Manchester City në barazime.

Trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl ka folur para përballjes me Liverpoolin, duke thënë se do t’i tregojnë edhe të kuqve nga Anfield se sa vlejnë njësoj si Cityt.

“E di që Jurgen Klopp do të bëjë gjithçka për të fituar këtë takim. Mendoj që është diçka fantastike për Ligën Premier që të ketë një garë kaq të fortë për titullin kampion”.

“Të gjithë janë të elektrizuar nga kjo betejë dhe ne do të jemi pjesë e duelit. City kundër nesh ka humbur katër pikë, ndërsa Liverpool na mundi në ndeshjen e parë, prandaj duam të tregojmë edhe një herë se jemi konkurrues përballë një skuadre të madhe”, tha Hasenhuttl.

Lexo po ashtu Trajneri i Southamptonit me fjalë të mëdha për Brojën: E kapi me dy duart shansin që ju dha

Sipas trajnerit austriak, titulli në Ligën Premier është më i vështirë të fitohet se sa Liga e Kampionëve ku Liverpooli është në finale.

“Ky është titulli më i rëndësishëm sepse është më i vështirë për tu arritur. Të qëndrosh në krye për 38 javë është më e vështirë se të fitosh Ligën e Kampionëve”, tha trajneri austriak.

Southampton – Liverpool zhvillohet të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/