Site icon Telegrafi

Trajneri i Slavias, Trpishovsky, pret që Ballkani të jetë i rrezikshëm sikurse në Çeki

Trajneri i Slavia Pragë, Jindrich Trpishovsky, ka folur në konferencën për shtyp para duelit ndaj Ballkanit në kuadër të Ligës së Konferencës.

Ai  ka thënë se ekipi i tij është i fokusuar ta mposhtë Ballkanin dhe pastaj të luajë ndeshjen e fundit të grupit ndaj Sivassporit.

Trpishovsky ka pranuar se ndeshja kundër Ballkanit nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi ka vlerësuar lart kampionin në fuqi.

“Jemi të fokusuar që të fitojmë të dyja ndeshjet dhe të marrim gjashtë pikë. Hapi i parë na pret ndaj një kundërshtari për të cilin kam shumë respekt, gjë që e thashë edhe para ndeshjes së parë dhe e konfirmuan edhe në grup. Duhet ta menaxhojmë lojën dhe të fitojmë për të mbajtur shansin tonë deri në ndeshjen e fundit”.

“Mendoj se stili i lojës do të jetë i ngjashëm, sepse ata luajtën të gjitha ndeshjet në grup kështu. Nga një mbrojtje e sigurt, Ballkani ka shumë lojtarë që vrapojnë pas topit. Ata duan të hapin hapësirë për kundërsulme të shpejta, që u pa edhe në ndeshjen e parë kundër nesh. Ka lojtarë shumë të shpejtë në transicion”, ka thënë fillimisht ai.

Slavia ka udhëtuar pa shtatë lojtarë të ekipit të parë, të cilët janë të lënduar. Klubi çek do të ketë përkrahjes e tifozëve të ekipit, të cilët do të jenë në tribunat e stadiumit, prej rreth 200 tifozë.

“Do të na mungojnë ata, por nga ana tjetër kemi mjaft lojtarë që mund t’i zëvendësojmë. Është e admirueshme që edhe në javën e punës të mbahet një ngjarje e tillë dhe të vijnë njerëz. Jemi shumë të lumtur për këtë. Shpresojmë t’i kënaqim me paraqitjen tonë në fushë. Shpresojmë se do t’ua shpërblejmë atyre besimin që na ndjekin dhe do të luajmë sikurse kohët e fundit që kemi luajtur”, deklaroi trajneri Trpishovsky.

Dueli mes Ballkanit dhe Slavias zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon xhiros së pestë të fazës së grupeve.

Slavia dhe Ballkani kanë nga katër pikë të tubuara dhe ndajnë pozitat tre dhe katër në tabelën e Grupit G. /Telegrafi/

Exit mobile version