Telegrafi

Trajneri i Prishtinës fajëson portierin për barazimin me Fushë Kosovën

Prishtina e lëshoi fitoren nga duart në sekondat e fundit të përballjes me Fushë Kosovën në kuadër të javës së shtatë në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke barazuar 2-2.

Pas ndeshjes, trajneri Debatik Curri ka thënë se shkaku i gabimeve nga portieri Agron Kolaj, i ndanë pikët me rivalin fqinj.

“Është shumë zhgënjyese. E dominuam pjesën e parë e po ashtu edhe të dytën dhe normalisht si çdo skuadër kur ka rezultatin mbrohet”, ka thënë fillimisht trajneri i Prishtinës për ArtSport.

Lexo po ashtu Fushë Kosova shokon Prishtinë në fund të ndeshjes - ia merr një pikë

“Vendosëm shtatë mbrojtës, por reagimi i tyre dhe pësimi i golave është shqetësuese. Të gjitha gabimet janë individuale”.

“Si çdo ndeshje edhe këtë ndeshje mendoj se portieri ka fajin kryesor. Ai është për të mbrojtur dhe jo çdo gjuajtje në drejtim të tij të jetë gol”.

“Nuk mund të kthejmë asgjë, duhet të vazhdojmë. Nuk jam aspak i kënaqur, futbollistët dhe portieri duhet të marrin përgjegjësinë”.

“Kur ekipi fiton, portieri në shumicën e rasteve është protagonist, por në rastet kur pëson gola nga ndërprerjet e ka fajin e vet, pa përjashtuar edhe futbollistët”, ka potencuar më tej Curri.

Ai ka përsëritur se Ardit Nika dhe Agron Kolaj janë me cilësi të njëjta.

““Cilësia është e njëjtë e dy portierëve. Një pjesë të ndeshjeve ka qenë Nika, por menduam që në këtë ndeshje do të bëj mirë Kolaj dhe e inkuadruam nga fillimi. Por te momenti i fundit, portieri e ka fajin kryesor, edhe penalltia ishte pjesë e kësaj ndeshje. Unë jam përgjegjësi kryesor për rezultatet e fundit. Mendoj se minimalisht tri ndeshje i kemi humbur me fajin tonë, pasi kemi pësuar gola të lehtë. Klubi i ka këta lojtar dhe po mundohemi të nxjerrim maksimumin”, ka shtuar Curri. /Telegrafi/