Trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida ka thënë pas ndeshjes e skuadra e Ballkanit ka shumë cilësi, por golat që u pranuan kanë qenë të evitueshëm.
Malisheva u mposht pas katër ndeshjeve pozitive, pasi Ballkani e mundi me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kjo humbje ka lënë shije të hidhur te trajneri i malishevasve, Kida, i cili pas ndeshjes ka lëvduar Ballkanin, por shtoi se mund të mos pranonin gola aq të lehtë.
“Kishim një ekip të fortë që në të gjitha elementet e lojës është i rrezikshëm. Në ndërprerje, sulm pozicional, kundërsulme. Ne u përgatitëm për t’i rezistuar, por morëm dy gola të lehtë”, ka thënë fillimisht Kida pas ndeshjes.
“Pjesa e dytë ishte e vështirë sepse kemi mundur të pranonim edhe më shumë gola. Në këtë ndeshje nuk kemi mundur të bënim më tepër. Ballkanin e kemi respektuar më shumë se që duhet”.
“Ekipi duhet të jetë më agresiv për ta mposhtur një Ballkan të tillë. U desh të ishim më të vëmendshëm në momentet kur i pranuam golat. Kemi kualitet mjaftueshëm për të mos pranuar gola të tillë”, përfundoi trajneri i Malishevës. /Telegrafi/