Sot (e mërkurë) me fillim nga ora 20:45, përfaqësuesja e Lituanisë do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri i Dardanëve, Bernard Challandes, e konfirmoi mbrëmë se për ndeshjet kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës, do të jetë pa shërbimet e mbrojtësit të Napolit, Amir Rrahmani, kurse në anën tjetër Valdas Urbonas, i cili është trajner i Lituanisë, e ka konfirmuar se në këtë ndeshje do të mungojë Paul Golubick.
Po ashtu, para ndeshjes me Kosovën, trajneri Urbonas u pyet rreth Dardanëve, ku tregoi që skuadra e tije do ta cilësojë këtë ndeshje të vështirë, pavarësisht faktit që është miqësore, përcjell KosovaPress.
“Kosova ka ekip të fortë, do të jetë një përballje e vështirë, por ne i kemi objektivat tona që dëshirojmë t’i arrijmë, zhvillojmë ndeshje të dielën kundër Zvicrës, kurse kundër Kosovës do kërkojmë ti arrijmë qëllimet tona”, ka thënë trajneri i Lituanisë.
Njëherësh, në konferencë për media foli edhe portieri Tomas Svedkuskas, i cili tregoi se edhe pse është miqësore, skuadra e tij duhet të tregojë seriozitet.
“Pavarësisht që kjo nuk është ndeshjes zyrtare, trajneri na ka thënë që nuk ka miqësore dhe do të luftojmë vetëm për fitore. Skuadra e Kosovës është e mirë, ka lojtar shumë të mirë që luajnë në Bundesligën gjermane dhe në Serie A, nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne”, është shprehur portieri.
Kosova do të nisë vitin 2021 me miqësoren kundër Lituanisë, kurse më pas do të vazhdojë me përballje kundër Suedisë dhe Spanjës.