Site icon Telegrafi

Trajneri i Lirisë, Yigit: Llapi meritoi fitoren sepse luftuan deri në fund

Trajneri i Lirisë, Nedim Yigit, ka thënë pas ndeshjes me Llapin se këta të fundit e  kanë merituar fitoren për shkak të ‘luftës’ që kanë treguar në fushën e lojës.

“Nëse dëshirojmë ta rrisim nivelin e futbollit në Kosovë, me lojtarë e trajnerë, gjyqtarët duhet ta lënë topin më shumë në fushën e lojës. Kjo i përket javës së kaluar. Për këtë javë, Llapi dhe trajneri Batatina merituan fitoren. Në futboll, nëse mbetesh me më pak lojtarë, tregon se duhet luftë e madhe nga lojtarët. Ua uroj fitoren sepse luftuan deri në fund”, ka thënë fillimisht Yigit.

Tutje, ai tha se duhet të marrin përgjegjësi mbi vete dhe u shpreh se kjo ndeshje ka shërbyer që lojtarët e tij të mësojnë se sa duhet të luftojnë në fushë.

Lexo po ashtu Tre kartonë të kuq, dy penallti të akorduara – Llapi fiton dramën ndaj Lirisë me golat e Hysenit e Veliut

“Disa përgjegjësi duhet t’i marrim mbi vete. Nuk kemi shumë lojtarë në ekip që mund t’i luajnë disa pozita. Për këtë arsye edhe nuk po mundemi të bëjmë shumë ndryshime në lojë. U ndëshkuam në këtë aspekt sot. Krahas mungesave që patëm, lojtarët kanë mundur të mësojnë se sa duhet luftuar në fushë”, përfundoi ai.

Kjo ishte humbja e katërt radhazi në elitën e futbollit kosovar për Lirinë, teksa ata tani e gjejnë veten në pozitën e parafundit në renditjen tabelare me gjashtë pikë të tubuara. /Telegrafi/

Exit mobile version