Telegrafi

Trajneri i Kosovës tregon pikat e forta të Estonisë, kërkon mbështetjen e tifozëve

Tifozët duke e përkrahur Kosovën

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Brad Greenberg, ka thënë se çështja kryesore në përballjen e të shtunës mbrëma kundër Estonisë, është si të frenohen tre lojtarët kryesorë kundërshtarë dhe si të pengohet arritja e topit deri tek ata.

Për përfaqësuesen tonë kjo ndeshje është vendimtare, pasi është e domosdoshme fitorja për të vazhduar në kualifikimet për Kampionatin Botëror, ‘Kina 2019’, ndërkohë që kundërshtari tashmë e ka siguruar vendin e parë në Grupin C dhe kualifikimin e mëtejshëm.

Trajneri ka thënë se lojtarët e dinë rëndësinë e kësaj përballjeje dhe duhet të angazhohen maksimalisht për ta arritur objektivin – që është kualifikimi i mëtutjeshëm. Kjo gjë, sipas Greenberg, do ta gëzonte tej mase popullin e Kosovës.

Lexo po ashtu Kosova sot pret Estoninë, gati për të shkruar historinë

Në intervistën që e sjell delfi.ee, strategu amerikan e ka lëvduar lojën e Estonisë për mënyrën e mbajtjes dhe qarkullimin e topit, si edhe për sulmin e rrezikshëm.

Rain Veideman, Sten-Timmu Sokul dhe Reinar Hallikul, janë tre lojtarët ndaj të cilëve basketbollistët tanë duhet të jenë të vëmendshëm.

“Ne duhet ta çrregullojmë ritmin derisa e qarkullojnë topin, të mbrojmë zonën tonë dhe të bëjmë lojë agresive, sepse sot na duhet vetëm fitorja”, është shprehur Greenberg.

Njëherësh, trajneri pret mbështetje të madhe të tifozëve, të cilët krijuan atmosferë mbresëlënëse në ndeshjen kundër Maqedonisë.

“Shpresoj të shohim diçka të ngjashme sot (e shtunë). Lojtarëve u pëlqen të luajnë në një atmosferë të tillë”, ka thënë trajneri. /Telegrafi/