Instruktori amerikan i fitnesit Jordan Branford, 44-vjeç, që jeton në Dubai tash e 10 vite, i është ndaluar të takoj nënën dhe djalin.
Mbi të rëndon akuza se ka thyer ligjin për krime kibernetike. Dhe nëse dënohet, rrezikohet t’i kalojë 7 vite në burg apo të paguaj dënimin prej 68 mijë dollarëve, dhe e gjithë kjo ka ndodhur vetëm pse në Instragram ka shkruar fjalën “kurvë”, transmeton Telegrafi.
Padia kundër tij është ngritur nga ish-bashkëshortja Salma Ismail. Edhe pse në statusin e tij në Instagram nuk e ka precizuar se kujt ia kishte dedikuar, besohet se “fjalën e ndaluar” ia kishte kushtuar asaj.
Kjo fjalë konsiderohet fyese në Dubai, edhe nëse nuk i referohet dikujt me emër. Të gjithë ata që e përdorin këtë fjalë, ballafaqohen me dënime të ashpra.
Dhe nëse nuk e paguan dënimin prej 68 mijë dollarëve, Brenford mund t’i kalojë 7 vitet e ardhshme në burgun më famëkeq në Emiratet e Bashkuara. Kurse qeveria e këtij vendi do t’ia mbajë pasaportën derisa paratë e dënimit nuk transferohen në llogari, apo nëse nuk lajmërohet në polici.
Martesa e Jordan dhe Salmës kishte filluar të shkatërrohet para një viti, kur ky qytetar amerikan pretendonte se gruaja e tij “po bënte sjellje të pahijshme”.
“Kam punuar shumë që biznesin im me fitnesin të ketë sukses. Këtë e kam bërë që t’i sigurojë një të ardhme më të ndritur birit tim. Kurse miqtë vazhdimisht më thoshin se gruaja ime është duke bërë atë që asnjë burrë tjetër nuk do ta lejonte”, ka deklaruar trajneri i fitnesit duke mos precizuar se për çfarë bëhej fjalë.
“Pasi martesa jonë u shkatërrua u largova nga apartamenti të cilin e ndanim me gruan”, ka deklaruar ai.
Ky trajner pretendon se Salma dëshiron ta shkatërrojë. Fillimisht ajo i kishte siguruar mesazhet që ai u kishte dërguar miqve në të cilat u kishte folur për gruan e tij. Ajo deshi ta padis, por pasi që leximi i mesazheve private në Emiratet e Bashkuara është vepër penale, ajo hoqi dorë nga kjo ide.
“Vazhdimisht ma bënte me dije se daja i saj është gjykatës dhe se do të bëjë gjithçka që të mi merr paratë”, ka deklaruar Jordan i cili bëri një gabim trashanik në Instagram. Ai shkroi përbri një videoje të postuar: “U zgjova dhe e kuptova se ajo kurva ka ngritur padi kundër meje”. /Telegrafi/