Trajneri i Ferencvarosit, Peter Stoger, ka komentuar përballjen e nesërme (e marte) me Prishtinën në kuadër të fazës kualifikuese për në Ligën e Kampionëve.
Skuadra hungareze është nikoqir i bardhëekaltërve, në takimin që fillon në ora 18:00.
Stoger ka thënë se ai ka respekt për skuadrën e Prishtinës, derisa çështjen e shënimit të golit ia ka lënë lojtarit shqiptar që luan te Ferencvaros, Myrto Uzuni.
“Ne duam të shënojmë sa më shumë gola të jetë e mundur. Mund të thuhet që ne jemi basti i ndeshjes, por e respektojmë kundërshtarin që kemi parë në të dy kualifikimet”, ka thënë strategu i klubit nga Hungaria.
“Kështu që e dimë që po takojmë një grup të mirë, të fortë fizikisht. Goli do të jetë puna e tij (Uzunit)”.
“Unë do të dërgoj ekipin më të mirë në fushë, por durimi është thelbësor që ne të jemi të suksesshëm”.
“Ne gjithashtu kemi parë në Kampionatin Evropian që ky mentalitet mund të çojë në sukses“, ka deklaruar më tej Stoger.
Në anën tjetër, Zekirija Ramadani, që është trajner i Prishtinës ka bërë të ditur se ata e kanë studiuar mjaftë mirë Ferencvarosin dhe shpresojnë që të marrin fitore. /Telegrafi/