Duncan Ferguson ka zbuluar se ai zëvendësoi Moise Kean sepse donte të ‘humbte pak kohë’ gjatë barazimit të Evertonit me Manchester United në Old Trafford.
Kean hyri në lojë në vend të Bernard në minutën e 71-të, por ishte në fushë vetëm për 18 minuta, pasi u zëvendësua nga Oumar Niasse pak para mbylljes së ndeshjes.
19-vjeçari italian që erdhi vetëm në verë nga Juventusi, u mërzit dukshëm me vendimin e trajnerit Ferguson për ta larguar nga fusha dhe shkoi drejt tuneli.
Por, Ferguson këmbëngul se vendimi nuk është asgjë personale ndaj Kean dhe tregoi arsyet e zëvendësimit.
“E dini se çfarë, nuk ishte për shkak të paraqitjes së Moise Kean”, ka thënë fillimisht Ferguson për Sky Sports pas ndeshjes.
“Unë vetëm duhej të bëja një zëvendësim për të humbur pak kohë”.
“Kam kaq shumë sulmues në bankinë, thjesht vendosa ta bëj atë ndryshim”.
“Nuk ishte asgjë personale kundër Moise Kean, vërtet”, përfundoi trajneri i Evertonit. /Telegrafi/